Ftesë për Propozime

April 9, 2025

Ftese per oferte

Fondacioni “Dyrrah City Football Academy” i themeluar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka për qëllim kryesor zhvillimin dhe promovimin e sportit për të rinjtë. Objektivi jonë është promovimi i sporteve të ndryshme, për grupmoshat e përfshira në akademitë dhe qendrat përkatëse, si dhe programet e specializuara të trajnimit.Vizioni ynë është jo vetëm të promovojmë talente të reja, por edhe të frymëzojmë vlera përmes sportit.

Fondacioni për përmbushjen e qëllimit të tij bashkëpunon me akademi të njohura ndërkombëtare dhe krijon partneritete strategjike me institucione dhe organizata sportive të njohura ndërkombëtare, për të siguruar standarde të larta të trajnimit dhe edukimit sportiv për pjesëmarrësit e tij.

Në vitin 2023, Fondacioni Dyrrah City Football Academy nënshkroi një marrëveshje me City Football Group dhe Manchester City Football Club për krijimin dhe zhvillimin e Shkollës së Manchester City në Durrës. Kjo marrëveshje synon të sjellë metodologjinë dhe standardet e Manchester City-t në trajnimet e futbollistëve të rinj, duke e bërë Dyrah City Football Academy dhe Shkollën e Futbollit Manchester City në Durrës një qendër ekselence për zhvillimin e talenteve të ardhshëm.

Dyrrah City Football Academy synon të prezantojë dy projekte të reja në Kampusin Sportiv në Durrës, një qendër tenisi dhe një ambient sportiv, i cili do të përdoret për Akademinë e basketbollit. Qëllimi është që Qendra Sportive “Dyrrah City Sports Centre” të shndërrohet në një qendër multifunksionale, shumë sportive, duke ofruar mundësi të gjera për zhvillimin e sporteve të ndryshme dhe bashkëpunime me akademi të njohura ndërkombëtare. Kjo iniciativë synon të rrisë standardet e sportit në Durrës, Shqipëri dhe në rajon, si dhe të krijojë një mjedis profesional për sportistët e rinj.

Qendra do të ofrojë infrastrukturë të nivelit më të lartë në futboll, tenis dhe padel, dhe basketboll, duke ndjekur metodologjitë dhe standardet ndërkombëtare. Projekti synon të krijojë një mjedis unik për zhvillimin e sportistëve të rinj, duke u fokusuar jo vetëm në aftësitë teknike dhe fizike, por edhe në përgatitjen e tyre akademike dhe profesionale.

Me këtë zhvillim, Durrësi do të kthehet në një destinacion kyç për sportin në rajon, duke tërhequr talentet më të mira dhe duke krijuar mundësi të reja për sportistët e rinj shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Me këtë ftesë për propozime, Fondacioni synon gjetjen e një partneri privat për realizimin e projektit “Projektimin, ndërtimin dhe zhvillimin e Qendrës Sportive Durrës, për sportet e tenisit dhe basketbollit”, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këtë Ftesë për Propozim. Partneri i zgjedhur do të angazhohet në financimin, ndërtimin dhe zhvillimin e infrastrukturës sportive, duke garantuar cilësinë dhe standardet e kërkuara për një qendër të nivelit më të lartë dhe në përputhje me detyrimet kontraktore.

Ky bashkëpunim do të sigurojë krijimin e një ekosistemi sportiv të integruar, ku do të operojnë akademitë si Dyrrah City Football Academy, Akademia e Tenisit, dhe Akademia e Basketbollit. Partneri privat do të ketë mundësinë të përfitojë nga të ardhurat e krijuara nga funksionimi i kompleksit për një periudhë të përcaktuar, duke marrë pjesë aktive në zhvillimin e një prej projekteve më ambicioze sportive në rajon.

Në shkëmbim të financimit dhe realizimit të Projektit, Kandidati i suksesshëm përfiton të ardhura nga Fondacionitë krijuara nga aktivitetet e Fondacionit në sportet e tenisit dhe basketbollit për të gjithë periudhën e afatit të përfitimit.

News / Lajme